Mejreme Berisha
Mejreme Berisha është aktorja dhe doajenja e Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Ka lindur në Gjilan. Shkollën fillore, të mesme dhe shkollën e lartë, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjilan në vitin 1983. Fillon punën në Teatrin e Gjilanit në vitin 1976 me rolin e Melihasë në Dramën “Dasmë në Luftë” të Minush Jeros e në regji të Muharrem Shahiqit . Që nga viti 1980, kur edhe punësohet zyrtarisht në Teatrin e Gjilanit, e deri më tash ka realizuar mbi 80 role në këtë teatër. Duhet veçuar disa prej tyre të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në karrierën e doajnes si: Roli i Melihasë në shfaqjen “Dasmë në Luftë” që më 1976, ia solli edhe Medalionin e Artë në Festivalin e Teatrove në Kullë të Vojvodinës, pastaj roli Teutës në “Vdekja e një Mbretëreshe” e cila ia solli çmimin e aktorës më të mirë në Festivalin Ballkanik të Monodramës në Korçë, pastaj roli i Gruas në shfaqjen “UFO-t”, me të cilin rol u shpërblye si aktorja më e mirë e Festivalit të Teatrove Shqiptare në Gjilan, etj. Mejreme Berisha aktualisht, është aktore e trupës rezidente të Teatrit të Qytetit të Gjilanit.
